Vjedhjet janë kthyer ndër krimet më të zakonshme në qarkun e Durrësit. Por brenda 24 orëve, policia e këtij qarku ka mundur të çojë pas hekurave një tjetër grup hajdutësh, të cilët akuzohen për 3 vjedhje të realizuara në qytetin bregdetar.

Më herët gjatë ditës, policia njoftoi arrestimin e një të riu dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, të akuzuar për një sërë vjedhjesh në qytetin e Shijakut.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës më vijim të punës së tyre për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve në fushën e veprave penale kundër pasurisë kanë bërë të mundur arrestimin e dy shtetasve, konkretisht:

• Xhani Ymeri 30 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale" Vjedhja";

•Ekilian Bibi 27 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasit e mësipërm ditën e sotme, në lagjen Nr.8 dyshohet se kanë vjedhur zyrën ku paguhen gjobat ku kanë marrë 200 000 lekë (të vjetra).

Gjithashtu,  nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me  prova shkencore se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri – tjetrin janë autorë edhe të  ngjarjeve si më poshtë vijojnë:

Më datë 27.11.2018 dyshohet se kanë vjedhur me thyerje dhomën e Imazherisë në Spitalin Pediatrik Durrës.

Më datë 30.11.2018, në lagjen Nr.8 dyshohet se kanë vjedhur banesën e  shtetases A.Ç. ku kanë marrë dritare dhe dyer duralumin dhe i kanë shitur në një pikë grumbullimi hekurash.

U sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• një pjesë e pajisjeve të vjedhura në zyrën e Imazherisë;

•dyert dhe dritaret duralumin të vjedhura në banesën e  shtetases A.Ç.

• doreza,  pinca dhe kaçavida.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale "Vjedhja në bashkëpunim " parashikuar në nenin 134/2 të Kodit Penal.