Inxhinierët që zbatojnë punimet publike në Durrës janë për të vënë kujën. Te Valuta do të ndërtohet një tjetër rrethrrotullim me model të ri europian. Pasi rrethrrotullimi te Valuta u ndërtua e qëndroi për gati një muaj, u ‘fshi’ nga harta brenda një nate për t’u zëvendësuar me një tjetër.

Ndërtimi i këtij rrethrrotullimi është pjesë e investimit të madh prej 3 milionë euro që investohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për rivitalizimin e gjithë zonës nga godina e Bankës Tregtare, te stacioni i trenit e në kryqëzimin e këmbimit valutor.

Për heqjen e këij rrethrrotullimi të ndërtuar me fondet publike, “DurrësLajm” pyeti drejtorin e Shërbimit Rrugor Aljon Hyska, i cili tha se kishte mësuar se firma do të modelojë një tjetër rrethrrotullim në këtë vend.

Tani ose durrsakët janë indiferentë ose inxhinieri i firmës dhe të gjithë ata që menaxhojnë punimet publike janë aq “karagjozë” sa me fondet publike të tallin një qytet të tërë. “Mësova se vetë firma që ka fituar tenderin e prishi dhe do të ndërtojë ditët e ardhshme një tjetër rrethrrotullim sipas një modeli më të mirë. Por nuk di më shumë se firma ndërtuese është private. Është ajo që ka fituar tenderin për të bërë punën”, tha Hysko në një lidhje telefonike me “DurrësLajm”.

Kryqëzimi që lidh rrugën e Postës me rrugën “Egnatia”, sheshin “Azem Hajdari” dhe bulevardin “Epidamn” është zemra e qyetit bregdetar me një dendësi shumë të madhe të këmbësorëve dhe të automjeteve. Ndërtimi i rrethrrotullimit ndryshe nga çfarë pritej e vështirësoi qarkullimin e lirë, ndërsa heqja e tij e liroi qarkullimin.

Por skandali qëndron në faktin se kush inxhinier është ai që bën të tilla eksperimente të pandodhura kurrë më parë me rrugët në Durrës, me fondet publike dhe me imazhin e një qyteti. Ose inxhinieri e projektuesi është “budalla”, ose bën për të marrë një qytet të tërë.

E njëjta gjë ndodhi edhe me rrugën “Pavarësia” kur inxhinieri ndërtoi ca “bëlldunga” të mëdha në mes të rrugës dhe të gjithë shoferët thyen skrapamentot dhe parakolpët e makinave në momentin që kaluan aty. Por inxhinieri e ndryshoi projektin duke pranuar fajin.

Megjithatë për gabimet që ndodhin, dikush duhet të mbajë përgjegjësi ligjore sepse këto që shpërdorohen janë fonde e nuk mund të eksperimentohet me një qytet tremijë vjeçar si Durrësi, sa herë që i teket dikujt apo mendon të ndyshojë projektin gjatë rrugës.

K.H.