Ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit i është hequr imuniteti. Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë votuan për heqjen e imunitetit të deputetit, i cili u arratis nga Maqedonia dhe mori azil në Hungari.

Me 62 vota pro, në mungesë të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së, Kuvendi e pranoi rekomandimin e Komisionit për Çështje të Rregullores dhe Imunitetit. Në vigjilje të debatit të Parlamentit Europian mbi rezolutën për Maqedoninë pritet që eurodeputetët të kërkojnë ekstradimin e Gruevskit.

Zëvendësministri i Jashtëm maqedonas, Andrej Zhernovski, realizoi në prag të këtij takimi një sërë takimesh me disa eurodeputetë. Sipas tij, pritjet janë që amendamenti me të cilën kërkohet ekstradimi i Gruevskit nga Hungaria, të mbështetet nga shumica e eurodeputetëve, sidomos ata socialdemokratë.