Krijimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si një institucion i ri që do të kryejë funksionet e deritanishme të ZRPP-së (hipoteka), ALUIZNI-t dhe AIPPP, përveçse do të sjellë unifikim dhe procedura krejt të reja lidhur me trajtimin dhe regjistrimin pasurive e paluajtshme, do të sjellë dhe një ristrukturim të gjithë administratës që funksionon deri më sot në këto institucione të rëndësishme.

Për rrjedhojë, si pasojë e këtij bashkimi rrezikojnë vendin e punës të gjithë punonjësit që aktualisht punojnë në këto institucione. Projektligji i ri që është paraqitur në Kuvend “Për Kadastrën” përcakton në dispozitat kalimtare të tij se me hyrjen e tij në fuqi “të gjithë punonjësit e Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Objekteve/Ndërtimeve Informale, konsiderohen punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”. Por kjo gjithmonë sipas këtij projektligji jo më gjatë se “për një periudhë kalimtare 6-mujore nga hyrja në fuqi e këtij ligji”.

Ata do mund të jenë sërish pjesë e administratës së këtij institucioni të ri që do të krijohet, por vetëm “nëse nuk preken nga ristrukturimi dhe plotësojnë kriteret e kualifikimit sipas rregulloreve të miratuara nga këshilli drejtues i ASHK-së”. Pra, siç përcaktohet në këtë dispozitë, që punonjësit aktual të vijojnë të qëndrojnë në vendet e tyre të punës edhe pas 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, do duhet që ata të mos preken nga ristrukturimi. Por për një institucion të ri që do krijohet nga e para, pavarësisht se në përbërje do ketë të tre institucionet ekzistuese, është shumë e vështirë që ai të mbajë strukturat, pra të njëjtën mënyrë organizimi siç e kanë aktualisht këto institucione.

Ndaj me krijimin e ASHK-së pritet të ndryshojë edhe e gjithë struktura aktuale e këtyre institucioneve, ndaj dhe rreziku për të humbur vendin e punës është i pranishëm për thuajse shumicën dërmuese të punonjësve të këtyre tre institucioneve. Ndërkohë që Neni 11 i këtij projektligji teksa flet për marrëdhëniet e punës përcakton se për punonjësit e ASHK-së këto marrëdhënie rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës, ndërsa niveli i pagave të punonjësve përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Për të qenë pjesë sërish e këtij institucioni të ri, punonjësit duhet të përmbushin kriteret e përgjithshme sipas legjislacionit për shërbimin civil, si dhe kriteret e veçanta të përcaktuara nga drejtori i Përgjithshëm. Punonjësit përzgjidhen, sipas kërkesave të pozicionit specifik të vendit të punës dhe ata për t’u punësuar pranë ASHK-së i nënshtrohen procedurës së testimit paraprak.

Në analizën financiare që shoqëron këtë projektligj, hartuesit kanë evidentuar se të tria institucionet së bashku i sjellin shtetit çdo vit një borxh prej 600 milionë lekë të reja, kjo nisur nga të ardhurat që sigurojnë dhe shpenzimet e mëdha që kryejnë, pjesa dërmuese paga dhe shpërblime. Ndaj me këtë ristrukturim të ri që do të sjellë ASHK, synohet që reduktohet numri i punonjësve dhe për rrjedhojë të ulen edhe shpenzimet e paga e shpërblime.

Neni 9

Drejtori i Përgjithshëm

1. Drejtori i Përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri.

2. Drejtori i Përgjithshëm, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në këtë ligj dhe në ligje të tjera të posaçme, kryen këto detyra:

a) Drejton aktivitetin e Agjencisë në fushat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të përfundimit të proceseve kalimtare të pronësisë, sipas objektivave politikë të Këshillit të Ministrave, planeve strategjike dhe programeve të performancës.

b) Harton projektprogramin buxhetor afatmesëm dhe projektprogramin vjetor të veprimtarisë të vitit të ardhshëm financiar.

c) Harton programe dhe miraton urdhra e udhëzime për funksionimin, zhvillimin, përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve kadastrale dhe të aktivitetit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.

ç) Emëron dhe liron personelin e Agjencisë përfshirë dhe drejtuesit e drejtorive dhe zyrave në nivel vendor.

d) I propozon këshillit drejtues ndërmarrjen e nismës për rishikimin apo ndryshimin e tarifave të shërbimeve të ofruara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim mbulimin e kostove të shërbimit dhe menaxhimin me efiçencë të të ardhurave.

dh) Ushtron kontroll mbi veprimtarinë e drejtorive dhe zyrave në nivel vendor, duke përfshirë edhe auditimin sipas legjislacionit përkatës.

e) Përcakton kriteret e veçanta që duhet të plotësohen nga personeli i Agjencisë, rregullat për testimin e aftësive profesionale, si dhe planet për trajnimin e burimeve njerëzore.

f) I propozon këshillit drejtues strukturën, organikën, nivelin e pagave dhe të shpërblimeve të punonjësve të Agjencisë.

3. Drejtori i Përgjithshëm mbështetet në veprimtarinë e tij nga zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, një prej të cilëve është drejtues i strukturës përgjegjëse për ankimin administrativ. Zëvendësdrejtorët e përgjithshëm emërohen nga këshilli drejtues, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm. /Marrë nga GSH