Përmes një deklarate zyrtare, polica greke ka dhënë informacion për vrasjen e një shqiptari në Janinë gjatë ditës së djeshme.
Sipas policisë greke, dje pasdite, pas një informacioni të marrë në rruge operative për trafik të lëndëve narkotike përmes kufirit greko-shqiptar në zonën e Pogonit, Janinë, efektivë të seksionit të luftës kundër drogës të Janinës, duke lëvizur me këmbë në zonën e Visani, Pogon, janë qëlluar me armë zjarri kallashnikov.
Efektivët e policisë greke iu përgjigjen të shtënave dhe si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mbeti i vdekur një shtetas shqiptar 39 vjeç si dhe u plagos një efektiv policie.
Në vendin e ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan 6 çanta me 13 pako që përmbanin 166 kg 200 gram marijuanë dhe 2 armë zjarri kallashnikov. Efektivi i plagosur ndodhet ne spitalin “Haxhikosta” në Janinë. Vijon operacioni për kapjen e trafikantëve të tjerë dhe mbledhjen e materialit hetimor.





