Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi ka vizituar në ambientet e Spitalit Ushtarak 6 efektivët e policisë, të cilët mbetën të plagosur nga protesta e banorëve, banesat e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe.
Ministri Lleshi: Sa kohë ke në polici?
Efektivja e plagosur: 4 vjet
Ministri Lleshi: Herë e parë që përballesh me situata të tilla?
Efektivja e plagosur: Ka pasur edhe të tjera, por këtë herë ishte më e dhunshme
Ministri Lleshi: Të falenderoj për shërbimin dhe të uroj të shërohesh sa më parë. Ju na bëni krenarë.
“Është për të ardhur keq e papranueshme që në një ditë të tille krejt normale të ndodhë një ngjarje anormale, të goditet Policia e Shtetit. Sot për fat të keq është goditur nga qytetarë të papërgjegjshëm që në shkelje të ligjit ngrenë dorë mbi policinë e shtetit. Po ashtu forca politike inspirojnë dhunë ndaj policisë së shtetit. Janë një numër i konsiderueshmë policisësh të dëmtuar. Policia është policia e tyre, mban mbi supe simbole të kombit kush ngre dorën ndaj saj ngre dorën ndaj interesit publik dhe vlerave e simboleve kombëtare. Përfaqësues politikë të caktuar që mundohen të fitojnë kapital politik të distancohen nga dhuna dhe nga aktet e papërgjegjshme, dhe të dalin në mbështetje të policisë”, deklaroi ministri.





