Nga Blendi Fevziu

Ambasadori i ri i BE në Tiranë, Luixhi Soreka, ka dalë këtë javë në “Opinion”, duke prezantuar një profil të ri të postit që ai drejton. Ndryshe nga 3 vitet e drejtuara nga zonja Vlahutin, ambasadori i ri, në vetëm 8 javë ka arritur të shohë dhe lexojë gjëra që duket se janë thelbësore në këtë vend. Dhe për të cilat deri më sot, ka folur kryesisht ambasadori amerikan në Tiranë, kanë folur struktura në Bruksel, por thuajse asnjëherë përfaqësia diplomatike europiane në Tiranë.

Ambasadori i ri e vuri theksin tek një problem që po bëhet sfilitës në këtë vend dhe që së fundmi, po përvijohet edhe si kushti bazë për hapjen e negociatave në qershor: lufta kundër krimit dhe lidhjet e krimit me politikën!

E para, Soreka deklaroi se për të luftuar krimin dhe mafian ka një formulë që ka dhënë rezultate konkrete kudo në botë: “Ndiq Paratë”! Ai e përsëriti këtë 4 herë, sikur të kishte më shumë informacione se sa ne vetë për investimin e parave të pista të kanabisit dhe drogës në tregun e pasurive të patundshme; në atë të ndërtimit dhe siç dyshohet edhe në atë të PPP – ve. Soreka ka plotësisht të drejtë.

Nëse paratë e paligjshme të krimit, të përfituara nga aktivitet kriminale në Shqipëri apo në Europë, do të investohet në këtë vend, mafia do të jetë investitori kryesor në Shqipëri dhe kjo është dëshpërimisht e frikshme. Nga ana tjetër, paraja dhe pasurimi është bërë aktiviteti i parë i krimit dhe ky i fundit nuk mund të goditet veçse duke e ndjekur atë nga ky drejtim. Dhe duke iu prerë burimin e parave!

E dyta, Soreka deklaroi se lidhjet e politikës me krimin motivohen kryesisht nga nevoja e politikës për vota dhe nga administrimi që mafia ju bën shpesh atyre përmes kontrollit të territorit dhe kërcënimit të popullatës. Për të prerë lidhjet e politikës me krimin, më e thjeshta është ta bësh ta pamundur trafikun e votave. Dhe të ndëshkosh rreptë jo vetëm atë që manipulon votën, por edhe atë politikan që tenton ta negociojë atë me krimin.

E treta, Soreka deklaroi se lufta ndaj krimit, nuk duhet reduktuar vetëm në kapjen e kriminelëve, por duhet të shtrihet deri tek dënimi i tyre dhe përtej, tek bllokimi i kontakteve të tyre nga burgu me botën e krimit jashtë. Për këtë ai solli si një shembull suksesi ligjin 41/Bis, që ndryshoi në mënyrë radikale situatën e krimit në Itali. Ky ligj autorizon izolimin e plotë të kriminelëve të rrezikshëm duke mos lejuar komunikimin e tyre me jashtë burgut. Zbatimi i tij është thjeshtë test që do tregojë se sa e pavarur është politika në Shqipëri nga krimi.

Të tria këto përfundime, qenë deklarata që nga ambasada e BE nuk ishin dëgjuar në Tiranë. 16 vjet më parë, ambasadori amerikan Xhefri i ishte drejtuar kriminelëve në publik me deklaratën: “Baronë të krimit ju njohim, do t’ju ndjekim kudo që të jeni”!

Që nga ajo kohë lufta kundër bandave, krimit dhe përfshirjes së tyre në politikë ka qenë thjeshtë ekskluzivitet i ambasadorëve amerikanë. Siç ndodhi në vitet e fundit me Lu. Tashmë, duket se BE ka nisur të shohë atë problem që amerikanët e shihnin prej vitesh. Dhe që është një ndihmë reale për Shqipërinë. Ardhja e Sorekës në krye të delegacionit jep edhe një garanci personale në këtë drejtim.

Ai duket në modelin e ambasadorëve që janë më shumë njerëz të aksionit. Siç deklaroi, ka hipur vetë në avionin e Guardia Di Financës për të parë situatën e kanabisit në Shqipëri. Situatë për të cilën zonja Vlahutin nuk foli qoftë edhe një herë. Ai vjen nga një karrierë si njeri i ligjit dhe Prokuror i Antimafias në Siçili. Ka qenë atje në një periudhë lufte të hapur mes mafias dhe ligjit, ku ka parë shumë nga kolegët e tij që kanë humbur jetën në këtë betejë. Por ka pasur fatin të shohë edhe falimentimin publik të krimit në raport me shtetin.

Ndaj ai e di, se një vend ku banditët dhe kriminelët lëvizin lirshëm në mes të qytetit dhe ku trafikantët zgjidhen deputetë nuk është një vend normal.

Tani kur veç ambasadës së SHBA edhe kjo e BE shton një zë më tepër kundër krimit; dhe kur në Shqipëri, për fat të keq, besimi tek ambasadat e huaja është më i madh se sa ai tek drejtësia dhe politika, çdo presion që vjen prej tyre është një bonus më shumë për një Shqipëri më normale dhe pa lidhje të krimit me politikën!