Një shpërthim ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një lokal në lagjen "Partizani" në Elbasan, ku si pasojë ka mbetur i plagosur rëndë pronari.
32-vjeçari Albert Alterziu, ndodhej në ambientet e lokalit kur është hedhur granata e dorës dhe më pas është transportuar në Spitalin e Elbasanit. Ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Burime për Report Tv thanë se ngjarja dyshohet të ketë motive hakmarrje. Kjo pasi 32-vjeçari në moshë minorene ka qenë i dënuar për një vrasje. Ngjarja daton në vitin 2001, kur Alterziu, në moshën 15-vjeçare, ka vrarë bashkëmoshatarin e tij Elton Shuli. Për vrasjen Alterziu u dënua me 10 vite burg, por bëri vetëm 7 për shkak të moshës minorene. Ndërkohë, Albert Terziu është plagosur edhe në vitin 2013 gjatë një konflikti me thika në qytetin e Elbasanit.
Ai njihej si njeri problematik në qytetin e Elbasanit.
Policia dhe grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon mbi për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i plotë:
Elbasan
Informacion paraprak
Në orët e para të mëngjesit në lagjen "Partizani", Elbasan në ambjentet e një lokali është hedhur një granate dore e cila ka shpërthyer, dhe për pasojë është dëmtuar pronari i lokalit shtetasi A.A., rreth 32 vjeç, i cili ndodhej në lokal në ato momente.
I dëmtuari është transportuar në Spitalin e Elbasanit në gjendje të rëndë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e kapjen e autorit/ve.





