Ndryshe nga takimi i 7 Shtatorit, Federica Mogherini ia doli të takojë Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiçin. Por ballafaqimi i dy presidentëve këtë të enjte e la situatën të pandryshuar.
I pari pas takimit doli Presidenti Vuçiç, i cili paralajmëroi se nuk do të ketë një takim tjetër, nëse Kosova nuk anulon ligjin për tarifimin me 10% të të gjitha mallrave serbe.
“Serbia është e hapur për dialog, por edhe pala tjetër duhet të respektojë marrëveshjet. Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë pasi Prishtina të tërheqë masat e paligjshme.”
Presidenti Thaçi e cilësoi të pavend të komentojë vendime lokale në Bruksel, duke pohuar se Beogradi kishte dhënë ultimatum.
“Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga delegacioni i Serbisë, nga Aleskandar Vuçiç, ndërsa diskursi ynë ishte i drejtë në arritje të një marrëveshje të drejtë dhe të balancuar.”
Zonja Mogerini tha pas takimit se Bashkimi Europian pret që Serbia dhe Kosova të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë me normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve dhe aspiratat e tyre për BE.