Në kulmin e debateve për mosdekretimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm nga ana e Presidentit të Republikës është risjellë në kujtesë momenti kur ish-Presidenti Bujar Nishani kërkoi verifikimin e Fatmir Xhafajt i propozuar atë kohë nga kryeministri për postin e ministrit.
Për të folur për këtë precedent dhe për të shpjeguar çfarë kompetencash ka Presidenti i Republikës, ish-Kreu i Shtetit Bujar Nishani ka folur sot në një lidhje direkte me emisionin “Dritare me Rudinën” në News24.
Nishani tha se ka kërkuar informacion për Xhafajn ashtu si për çdo kandidaturë tjetër për ministër. Ai kujtoi se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që nuk e konsideron formal angazhimin e Presidentit në emërimin e ministrit.
Zotin Meta e lejon Kushtetuta të mos e dekretojë?
Bujar Nishani: E drejta kushtetuese për përzgjedhjen e kandidaturës është e kryeministrit. Presidenti ia ka dhënë të drejtën e zgjedhjes së kandidatëve kryeministrit që ditën që e ka dekretuar si kryeministër. Jo vetëm që Kushtetua e parashikon por kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila nuk e konsideron formal angazhimin e presidentit në emërimin e ministrit. Me dekretimin e zotit Xhafaj kam kryer të njëjtën procedurë për çdo ministër. Kriteri bazë i emërimit të një ministri është që plotëson kushtet për të qenë deputet. Në momentin që i plotëson kushtet për të qenë deputet atëherë presidenti ka të drejtë të kërkojë informacione rreth këtij personi në mënyrë që nesër pasnesër të mos e vendosim shtetin shqiptar në pozitë të vështirë për shkak të së shkuarës së personit që do të bëhet ministër.
Unë kam marrë gjithë kohën e duhur për të verifikuar zotin Xhafaj. Më rezultoi që zoti Xhafaj e plotësonte kriterin bazë sepse vinte si deputet dhe i jam drejtuar të gjitha institucioneve, KLSH-së, Prokurorisë, SHISH, institucionit të verifikimit të dosjeve dhe në përfundim të afateve që iu kisha vënë këtyre institucionet erdhën përgjigjet dhe konfirmonin që zoti Xhafaj nuk kishte asnjë problem që mund të vendoste shtetin shqiptar në pozitë të vështirë në vijimësi. Në këto raste Presidenti nuk ka të drejtë të bëjë konsultim publik.
Zoti Xhafaj nuk kishte asnjë problem që mund të konfondonte pozicionimin e tij si ministër i Brendshëm dhe që mund të vendoste shtetin shqiptar në vështirësi. Nën këtë situatë presidenti s’bën gjykim politik. Në atë kohë për zotin Xhafaj kishte një rast, që kishte qenë hetues gjatë regjimit. Madje kishte dhe persona që e akuzonin. Por kjo si pikë nuk parashikohej në çështje kushtuese që e ndalonin të bëhej ministër. Ndaj unë reagova duke thënë se nga rrethanat morale nuk është kandidatura e përshtatshme dhe i takon Xhafaj që vendoste. Vijmë tek rasti i Zotit Meta. Unë mesa besoj dhe sa kam arritur të kuptoj, argumentet e sotme ishin të papërshtatshëm për një kryeministër. Unë besoj se Meta ka më shumë sesa një arsye për rastin e Lleshit. Sot dëgjuam kryeministrin se deklaroi publikisht që presidenti i ka dhënë një arsye që Rama e quajti qesharake. Presidenti nuk është i detyruar që të njoftojë publikisht arsyet e tij, veçanërisht në rastet kur ne nuk e dimë se çfarë dokumentesh kanë ardhur në Presidencë nga prokuroria, apo ushtria. Neve na dha një argument kryeministri sot në Kuvend. Ai lexoi emrin e presidentit që është jo qytetare. Nga ana tjetër kryeministri tha se ‘nëse është ajo arsyeja që ma ka thënë në zyrë, nuk do dëshiroja që të kisha një president qesharak’. Nëse ka një arsye dhe argument që ia ka dhënë kryeministrit do të thotë se presidenti paska arsye kushtetuese. Unë besoj që nëse ka ndonjë njeri që beson se presidenti i Republikës, edhe në rastin aktual zoti Meta që ka një eksperiencë të gjatë, mund të marrë një veprim të tillë për të mosdekretuar një ministër për arsye personale, kjo është naive. Kështu që ne duhet të dimë dhe duhet të shohim se çfarë janë ato shkresa që i kanë shkuar Metës. Nëse kryeministri u tha shqiptarëve që Meta i ka dhënë një arsye, atëherë ai duhet t’ua thoshte shqiptarëve atë arsye që sipas tij ishte qesharake.





