Një person ka mbetur i plagosur lehtë gjatë mësymjes në fushë, të disa tifozëve të Tiranës, pas ndeshjes Tirana-Kukësi.
Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit konfirmuan se, disa tifozë të klubit të Tiranës janë shoqëruar.
“Më datë 06.11.2018, rreth orës 19:50 në përfundim të ndeshjes së zhvilluar midis ekipeve ‘Tirana -Kukësi’ të zhvilluar në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, kanë hyrë në fushë disa tifozë të Tiranës ku një pjesë e tyre janë shoqëruar nga shërbimet e policisë në Komisariat për veprime të mëtejshme proceduriale. Gjatë hyrjes së tifozëve në fushë ka mbetur i dëmtuar lehtë një shtetas të cilit i është dhënë ndihma e duhur mjekësore. Po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë”, njoftoi Policia e Tiranës.
Menjëherë pas mbylljes së lojës mes Tiranës dhe Kukësit, tifozët bardheblu kanë pushtuar fushën, të cilët kanë filluar të kapen edhe me vetë lojtarët bardheblu.
Tifozët të acaruar pas këtyre rezultateve, filluan të kapen edhe me lojtarët, duke i kërkuar të heqin fanellën bardheblu, ndërsa vazhdojnë edhe koret ndaj drejtuesve të ekipit.
Menjëherë, erdhi edhe ndërhyrja e forcave policore, dhe tifozët u kthyen të gjithë me vrap drejt tribunës.





