Del videoja nga ekzekutimi i biznesmenit 46-vjeçar Yannis Makris në Voula, që njihej edhe si gangster, për eliminimin e të cilit, mediat e huaja dje folën se ishte pajtuar një shqiptar me pagesë.
Materiali vizual sipas Kathimerinit, është regjistruar me një aparat me rezolucion të lartë.
Siç tregon videoja, sulmi i armatosur ndodhi të mërkurën e kaluar në momentin kur 46-vjeçari doli nga shtëpia dhe hipi në makinën e zezë që ishte parkuar jashtë.
Ai sapo ishte ulur në vendin e shoferit kur vrasësi iu afrua dritares së pasagjerit dhe filloi të shtënat.
Vrasësit nuk i duket fytyra, ndërkohë që ka në kokë një kapelë të zezë dhe veshur me një xhaketë sportive me dy ngjyra, si dhe pantallona dhe këpucë të zeza.
Skena e vrasjes zgjati vetëm 5 sekonda. Makris menjëherë pas të shtënave u përpoq të dilte nga makina, por nuk ia del dot të shpëtojë.
Vrasësi e ndoqi dhe e qëlloi nga një distancë e afërt as gjysmë metër. Makris nuk mundi të bënte më shumë se 3-4 hapa përpara se të binte në trotuar, i vdekur.
Një ditë më parë, ‘The Sydney Morning Herald’ raportonte se vrasja e John Macris mund të ketë ardhur pas një përplasjeje të përgjakshme mes bandave që ka sjellë edhe gjashtë vrasje të tjera në Athinë nga fillimi i këtij viti. Ndërkohë që si autor shkruante se ishte një shqiptar, si vrasës me pagesë.
PANORAMA