Gjykata e Durrësit me dy masa sigurie ka pezulluar vendimin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, për prishjen e një objekti tek Ura e Dajlanit në pronësi të shtetasit Bedri Dervishi. Inspektorët e IMT-së në varësi të bashkisë së Durrësit edhe sot kishin shkuar për të ekzekutuar vendimin, por nuk mund të shkelnin mbi vendimet gjyqësore.
55-vjeçari Dervishi i cili është futur në një betejë të vërtetë ligjore me IMT-në, tha se po veprohet me dy standarde nga ana e këtij institucioni. Banesa e tij është 12 metra larg prej shinave të trenit pranë rrethrrotullimit të hyrjes së portit detar. Drejtoria e Hekurudhës ka kërkuar shembjen e objektit i cili shërben edhe si biznes edhe si banesë, me pretendimin se nuk plotëson kriterin e largësisë nga shinat e trenit. Dervishi thotë se Aluizni ka legalizuar objekte që janë 2 metra larg prej shinave të trenit dhe ka refuzuar objektin e tij të ndërtuar në vitin 1992.
Sipas tij, pas kësaj fshihen të tjera interesa që kanë të bëjnë me ndërtues në këtë zonë. Ndërkohë pranë banesës së tij të bie në sy që aty ku më herët qëndronin shinat, vagonat dhe lokomotivat dikush ka vënë tabelë “pronë private”.
Policia dy ditë më parë njoftoi se ka nsiur hetimin penal për vajzën dhe bashkëshorten e Bedri Dervishit.
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetaseve:
• N.D. 48 vjeçe, banuese në Durrës;
• A.D. 21 vjeçe, banuese në Durrës.
Shtetaset e mësipërme (ëmë e bijë), në fshatin Fushë- Bizë, Ishëm, kanë kanosur me fjalë për shkak të detyrës shtetasin A H. 48 vjeç, banues në Durrës K/ Inspektor në IMT Durrës.
Veprimet hetimore po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe janë referuar materialet në prokurori për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës" parashikuar në nenin 238 të Kodit Penal.





