Bizneset e lagjes numër 4 në bulevardin “Dyrrah”, prej ditësh janë tmerruar nga vjedhjet seriale, të ndodhura gjatë natës në qendër të qytetit të Durrësit. Tri dyqane janë vjedhur ditët e fundit, një prej të cilëve dy herë brenda tri ditësh, duke shkaktuar panik te bizneset në bulevard.

Mëngjesin e sotëm kioska në të cilën shiten gazetat pranë ish-dyqanit të luleve, ishte vjedhur për herë të dytë gjatë fundjavës, ndërsa autori shëtit i lirë.

Zonja e kioskës e cila ka këtë aktivitet prej vitesh në bulevard, ndërsa hapi derën mëngjesin e sotëm, pa se nga pjesa e pasme xhami ishte thyer me dhunë dhe prej andej autori apo autorët kishin hyrë brenda duke “përlarë” të gjithë sendet me vlerë siç janë kartat rimbushëse të kompanive të telefonit. Sipas pronares, dëmi shkon nga 2 deri në 3 mililonë lekë të vjetër.

Të premten në darkë po kjo zonjë ra pre e hajdutëve, të cilët në momentin kur do të mbyllte dyqanin një vjedhës i mori portofolin nga çanta me xhiron ditore dhe u largua me shpejtësi në errësirën e natës.

Në bulevardin “Dyrrah”, i cili është fare pranë pallatit të kulturës edhe disa dyqane të tjera kanë rënë pre e hajdutëve, nga të cilat një dyqan çantash, një parfumeri. Policia ka marrë denoncimet nga ana e pronarëve të këtyre subjekteve.

Sot ekspertët punuan për gjurmë gishtash në vendin e ngjarjes dhe për prova të tjera që mund t’i çojnë drejt autorit. Në të njëjtin vend në verë, dy të rinj sulmuan e grabitën një argjendari që gjendet pranë tyre.

Një qytetare tha për portalin “DurrësLajm” se vetë pronaret e këtyre dyqaneve që kanë rënë pre e vjedhjeve kanë identifikuar autorin i cili është pa flokë dhe “hiqet” si biznesmen, ndërkohë që mban nën vëzhgim prenë e tij të radhës.

Qytetarja thotë:

“Jam e tronditur se më kanë vjedhur mamin te dyqani dhe është i njëjti tip që ka vjedhur dhe 3 biznese të ndryshme që unë i njoh femrat që punojnë aty.

Policia ka fotot, i kam dhe unë të atij plehrës, por thonë që s’e njohim si fytyrë. A mund të bëhet kjo publike?

Ka vjedhur nusen e xhait, mamin tim dhe zonjën O.L. që ka parfumet e shtrenjta afër dyqanit të mamit tim, ajo ka nxjerr foto nga xhirimet se është i njëjti tip dhe O. ja ka bërë 2 herë gjithashtu dhe dyqanin e çantave. Ka të njëjtën pamje siç e përshkruajnë njerëzit dhe veç O. ka foto që ka bërë denoncimin, ka flokët e rëna përpara dhe futet në çdo biznes me celular në dorë fiks, siç më ka dërguar fotot”.

K.H.