Përgjatë 1 jave, ishulli i Zakynthos në Greqi është përballur me tërmete të njëpasnjëshme, të cilat kanë shkaktuar panik tek banorët.

Sizmiologët grekë thonë se lëkundja e nëntokës do të vazhdojë edhe për 1-2 muaj. Sipas tyre, ky është një fenomen i natyrshëm. Ata theksojnë se banorët nuk kanë pse të shqetësohen dhe nuk ka vend për panik. Vetëm gjatë ditës së sotme, dy tërmete me magnitudë 4.4 dhe 5 tronditën ishullin.

Lëkundjet sizmike që pritet të vazhdojnë përgjatë 2 muajve, ekspertët shprehen se mund të jenë me fuqi deri në 5 ballë, por edhe më të larta.

Nuk ka arsye për t’u shqetësuar, por qytetarët duhet të jenë të duruar. Kështu thotë drejtori i Qendrës së Gjeodezisë së Athinës. Ai siguroi banorët e ishullit se këto termete me fuqi 5 ballë nuk përbëjnë rrezik që të shkaktojnë dëme. “Qytetarët nuk u lënduan nga tërmeti shumë i fortë, vetëm u shkaktuan dëme të vogla materiale”, tha drejtori i Qendrës së Gjeodezisë.

Javën e kaluar, Zakyntho u godit nga një tërmet i fortë me magnitudë 6.4, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.