Lulzim Basha publikoi në fillim të kësaj jave një listë të hierarkëve socialistë të cilët sipas tij duhet të përfundonin në burg. Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Vangjush Dako, Qazim Sejdini e plot të tjerë, u akuzuan për lidhje të provuara me krimin.
Por ajo që be në sy në këtë listë është mungesa vezulluese e Erion Veliajt.
Si ka mundësi, nëse PD këto akuza nuki bën në bazë të fakteve, por thjështë për qëllime politike, ajo “ta falte” kryebashkiakun e Tiranës?
Si ka mundësi që kur përpara ka betejën dhe garën më të madhe, atë për të fituar Tiranën, PD ta ruante nga përbaltja Lali Erin?
Këto dilema të bëjnë të mendosh se akuzat për të gjithë ata që përgojon opozita kanë një bazë reale, por ajo nuk ka mundur të gjejë prova për të goditur edhe kreun e bashkisë.
Në fakt, në këtë konstatim, ka diçka të vërtetë. PD e ka masakruar sa herë i është dhënë rasti Erion Veliajn, si për lidhjet me oligarkët, si për lejet e ndërtimit, si për korrupsionin me pasojë vrasjen e Ardit Gjoklajt, si për kapjen e mediave, por ajo nuk ka mundur të nxjerrë asnjë fakt për lidhjet e tij me kriminelë.
Madje duke e ditur këtë, vetë Veliaj, i ka ofruar publikut shfaqje të shëmtauara nga ato që di të prodhojë ai, si atëherë kur deklaronte se nuk pyeste për të fortët, duke triumfuar mbi një pronë të Shullazit.
Në realitet, ka një mendim të përhapur, si në qarqet politike shqiptare ashtu dhe tek diplomatët që ndodhen në Tiranë, për një ndryshim të dukshëm mes pushtetit të Ramës dhe mënyrës si përpiqet të qëndrojë në lojë Veliaj.
I pari e mbështet forcën e tij mbi tre kollona, paratë e oligarkëve të cilëve iu bën favore, manipulimin ekstrem të mediave dhe lidhjeve me botën e errët të krimit, të cilëve iu jep liri të plotë për trafiqet e tyre, për t'i përdorur më pas elektoralisht (si ç’u provua së fundi në rastin e Dakos).
Ndërsa Veliaj, qëi ka po aq për zemër oligarkët dhe kapjen e mediave, i është ruajtur ekstremisht lidhjeve me kriminelët.
Vetë distanca gati armiqësore që ai krijoji me Saimir Tahirin, për sa kohë ky i fundit ishte në pushtet, i ka dhënë atij bonus në publik.
Pikërisht, kjo i ka bërë një pjesë të diplomatëve të huaj, nga ata që kanë ndhimuar në katapultimin e tij politik që në kohën e “Mjaft”, e deri tek ata që merren sot me punët e Shqipërisë, ta shohin Lali Erin si të keqen më të vogël.
Të gjithë ata që nuk e pranojnë dot rikthimin e falangave të Berishës në pushtet, por që nga ana tjetër e shohin si u degjeneron para syve mes skandalesh të njëpasnjëshme, ngrehina kriminale e Ramës, po e projektojnë kryebashkiakun si një plan “B”. Në këtë skenar po ndikon jo pak edhe partia e dytë e opozitës, LSI.
Monika Kryemadhi vazhdon të ngulmojë se Rama nuk do e rikandidojë Veliajn, madje ajo çuditi mbarë botën kur deklaroi se mund të votonte edhe për Erion Velinë në zgjedhjet lokale.
Ndoshta LSI, mendon të kapërcejë sërish ylberin dhe të rikthehet në një koalicion të majtë, të kryesuar nga Veliaj, nëse Rama rrëzohet.
Pikërisht për këtë, ndoshta pa vetëdije, po ndikon edhe PD. Duke e fokusuar me të drejtë betejën e lidhjeve të qeverisë me krimin, ajo indirekt po vizaton një Erion më të pastër se rilindastit e tjerë, që mund të mbetet e vetmja shpresë e socialistëve, nëse Ramën e përthith brenda vetes bataku ku është zhgryer. Dhe këtu PD gjendet në një rreth vicioz: A duhet të këmbëngulë në këtë luftë, kur ajo mund ti pjellë një mostër të re, që do të duhet sërish shumë kohë për ta rrëzuar nga froni?
/Lapsi.al/





