Redaksionale nga “DurrësLajm”

Në krye të nisjes së vitit të ri arsimor, Drejtoresha e Arsimit në Durrës, Lindita Muka, nxitoi t’i sigurojë prindër e mësues se në të gjitha godinat e arsimit parauniveristar, gjithçka ishte gati për të nisur procesi mësimor.

Madje gazetarët e Durrësit këmbëngulën që zonja Muka të tregojë edhe ku janë problemet, që prindër e nxënës në fund të fundit t’i dinin paraprakisht, sepse me nisjen e shkollës gjithçka do të mësohej.

Por zonja Muka këmbënguli se probleme nuk ka, dhe theksoi se shkolla “Marie Kaçulini” do të hapej më shpejt se parashikimet, sepse shkolla e mesme “Leonik Tomeo” e cila po mban edhe fëmijët e “Marie Kaçulinit” do t`i nënshtrohej rikonstruksionit. 

Por shkolla nisi dhe ne pamë se si 150 fëmijët e fshatit Borakaj u zhvendosën në Maminas e dolën protestuan para bashkisë së Shijakut më 19 shtator, sepse shkolla e tyre ishte tërësisht e amortizuar. Asnjë fjalë nuk tha për këtë shkollë zonja Muka.

“Nga katër shkolla të rikonstruktuara në dy vitet e fundit vetëm dy do të hapin dyert, “14 Nëntori” dhe “Jusuf Ferra”. Për shkollën e Arapajt, “Myslim Hidri”, ku u zhvillua protesta nga nxënës e prindër pak para nisjes së vitit të ri arsimor, është duke u negociuar për bazën materiale, ndërsa në shkollën “Marie Kaçulini” kantieri i ndërtimit është ende i hapur. Por edhe dy godina të tjera kërkojnë rikonstruksion urgjent, shkolla “Jusuf Puka” në qendër të Durrësit dhe “Muharrem Dollaku” në Shijak. Të gjtha objektet e tjera arsimore janë gati të hapin dyert. Shkollat janë lyer e janë bërë gati që më 17 shtator të presin mbi 60 mijë nxënës që ulen në bankat e arsimit parauniversitar”, tha zonja Muka më 13 shtator.

Asnjë fjalë për shkollën e mesme “16 Shtatori” në Shijak, në të cilën kati i tretë është jo funksional sepse çatia bie çdo ditë nga pak duke rrezikuar jetën e nxënësve.

Asnjë fjalë për shkollat që janë ku thërret qameti sepse iu kanë shpërthyer ujërat e zeza brenda.

As për shkollat në veri të Durrësit në Ishmin e largët e katundet përreth, se cilat shkolla u mbyllën e u bashkuan në një të vetme nuk u mësua dot kurrë sepse zonja nuk foli.

“Bedrie Bebeziqi” i hapi sërish dyert ndërsa rrjeti hidraulik është ai i vitit 1967 kur u ndërtua kjo godinë për konvikt. Prindërit e fëmijëve të shkollës e ngritën zërin, por vetëm kur u bënë dy shkolla bashkë, i shpërtheu ndër duar “patatja e nxehtë” drejtoreshës së Arsimit.

Lindita Muka nuk ka pse ta fshehë realitetin, se në fund të fund të fundit përgjegjëse për sistemin arsimor para universitar është bashkia e Durrësit. Bashkia çdo vit duhet të planifikojë investimet mbi buxhetin që ka, e në bazë të kërkesave që i bëhen nga Drejtoria Arsimore. Pse zonja Muka nuk e hap gojën për problemet që kanë godinat arsimore? Kujt i shërben me heshtjen e saj? Sepse të lësh fëmijët e Durrësit në kushte mizerable, do të thotë t’i çosh ujë shkollave private. Duke lënë në mjerim shkollat publike, prindërit do i dërgojnë te privati, i cili u ofron kushte shumë më të mira se shkollat publike.

Por t’i marrim me radhë gjërat.

Gati 20 vjet më parë, Drejtorinë Arsimore e drejtonte Alqi Kadenasi, një drejtues i formuar në shkollat e Partisë, por që kur vinte fjala për arsimimin e fëmijëve të bashkëqytetarëve të tij, e për  të ngritur problemet, ai i rendiste të gjitha një e për një, që prej shkollës së Armathës e deri në Durrës. Më pas në drejtimin e Drejtorisë Arsimore erdhën të majtë e të djathtë, Vaso Papaj, Mira Bllani, Filip Gjonci, edhe këta përfaqësues të djathtë por të formuar në shkollat e partisë, megjithatë, kur vinte puna për nxënësit, shpreheshin e tregonin se ku ishin problemet, se cilat shkolla duan rikonstrukion, se janë klasat të mbingarkuara, etj etj.

Të gjithë kanë bërë ndere e kanë futur mësues në punë, ashtu siç futen edhe tani, jo vetëm se i kanë fituar apo jo pikët e duhura në provimet e kërkuara. Madje sa më shumë që rritet kërkesa për mësuesit aq më shumë edhe tarifa që duhet të paguajnë për vendin e punës. Nuk kish ndodhur më herët që një mësues përdorues i lëndëve narkotike, të jepte mësim, siç ishte rasti i Manzës, dhe u shkarkua prej Mukës.

Zonja Muka, drejtore e Drejtorisë Rajonale Arsimore në Durrës, u zgjodh në krye të këtij institucioni pas një gare të hapur ku rivali kryesor ishte Ardian Gurra, drejtor i Arsim Kulturës në Bashkinë e qytetit.

Çdo femër në krye të një institucioni shihet gjithmonë me syrin kritik se sa do të arrijë të realizojë premtimet që dha para kolegëve të saj që e zgjodhën.

Në pamje të parë, Muka nuk të zhgënjen, e fortë, autoritare, e cila ndjek modën e fundit, e ftohtë dhe bindëse në atë çfarë do të thotë. Por çfarë fshihet pas kësaj pamje të parë?

Shkollat e Durrësit kanë futur ujë nga çatia e nga të katër anët. Për erën e rëndë që përhapet në korridoret e shkollave, si rezultat i çarjes së tubave të fekaleve, thotë se të njëjtën erë mban i gjithë Durrësi.

Prindërit dhe fëmijët nuk ndjejnë të njëjtën aromë parfumi me zonjën që drejton sektorin më të rëndësishëm, Arsimin, prej të cilit varet e ardhmja e fëmijëve por edhe e qytetit. 

Zonja Muka duhet t’iu kërkojë falje prindërve dhe kolegëve të saj që e zgjodhën t’iu jepte zgjidhje problemeve të mëdha që ka arsimi në Durrës, e jo t’u shtonte edhe ca më shumë në rastin më të mirë, e në rastin më të keq t’iu thotë se shqisa e nuhatjes është e njëjtë në të gjithë Durrësin.