Anijet e flotës së peshkimit në Durrës po mbyten një e pas një, dhe armatorët durrsakë prej vitesh i janë druajtur këtij problemi. Amortizimi i tejskajshëm i anijeve të peshkimit në Durrës ka bërë flota e cila dikur ishte lavdia e qytetit tonë, sot të mos përballojë as nevojat mininale me peshk të freskët për restorantet e qytetit e jo për më shumë.
Kjo flotë e tkurrur në vite dhe e minimizuar në numër vit pas viti, është kthyer mbrapsh në kohë, sepse industria e cila duhej të ishte lider në tregun e punës e duhej të shkëlqente për të ardhurat e saj është në stanjacion.
Kjo sepse në punë janë vetëm anijet e mëdha të armatorëve të cilët e kanë mundësinë që anijet e tyre t'i riparojnë jashtë vendit, ndërsa të tjerët përpiqen që me mjete rrethanore të riparojnë anijet në ish-kantierin detar aty ku e gjithë hapësia ka mbetur djerrë duke lënguar për kohërat e arta të ndërtimit e riparimit të anijeve jo vetëm shqiptare, nga 2 mijë punëtorë që punësoheshin.
Sipas zyrtarëve të portit, hapësira e ish-kantierit, ku tanimë kanë mbetur vetëm gjurmët e dikurshme të lavdisë së tij, me rreth 2 mijë punëtorë, i ka kaluar në pronësi Portit të Durrësit.
Por kjo kompani e cila ka falimentuar në metalurgjikun e Elbasanit, edhe këtë super sipërfaqje në qendër të portit të Durrësit, e ka lënë tërësisht djerrë e të pashfrytëzuar, dhe ende nuk dihet çfarë pazaresh po bëhen për të.
Anijet prej druri kanë mbetur tërësisht të kalbura, pasi edhe doku ku riparoheshin anijet edhe pajisja tjetër slipi u prenë dhe u dërguan në metalurgjikun e Elbasanit, duke u shkrirë për skrap.
Në bazë të një studimi nga Kompania holandeze "Royal Asconing", u sugjerua që territori në të cilin ndodhej kantieri detar "Durrës Kurum Shipping" sh.a., duhet t’i kalojë në administrimin e APD-së.
Në bazë të këtij studimi, thuhet se territori ku ndodhet kantieri detar, do të destinohet për shërbime portuale si terminal çimentoje, terminal kontejnerësh, terminal tragetesh, si dhe terminale për shërbime të tjera.
Kantieri detar i Durrësit, i cili në vitet '90 u privatizua nga çekët e Gdanskut, i kaloi në pronësi Kurumit, pas vitit 2003. Por kjo kompani e shkriu aktivitetin e riparimit të anijeve në kantier, dhe doku doli jashtë funksioni ndërsa mbi 300 punëtorë dolën të papunë me mbylljen a aktivitetit të kantierit.
Pse Kantieri i Durrësit ishte lavdia e flotës sonë të anijeve tregtare e të peshkimit.
Në vitin 1968, prodhohet anija metalike "Punëtori" dhe më pas lëshohet në det rimorkiatori i parë i prodhimit shqiptar "Debatik" me fuqi 1000 kuaj fuqi dhe gjatësi 32 m. Në vitin 1970 filloi riparimi i anijes 5000 tonëshe "Durrësi", riparim i cili tregoi aftësitë e rritura të Kantierit Detar, i cili po fillonte tashmë në nivelin e riparimit të anijeve oqeanike.
Në vitin 1974, Kantieri është transferuar në sheshin ku ndodhet sot KURUM. Kjo u bë pas një përvoje 30-vjeçare të tij dhe për këtë u ndërtuan shkallë me përmasa të mëdha në të cilat u lëshuan në det anijet "Saranda" 1000 DëT dhe "Gjirokastra" 2700 DëT.
Për këto prodhime kanë dhënë një ndihmesë të veçantë Inxhinierët Gani Ismailati, Hysni Peku, Hysni Qehajai, si dhe mjeshtërit Xhevdet Karapici, e Abdulla Curri. Me pas zhvillimet në Kantierin Detar vazhduan me krijimin e repartit të riparimit të vaporëve e mjeteve të mëdha detare që arriti të kryejë riparime kapitale të rimorkiatorëve, shalandave, Bigen "Adem Reka", të dragave "Rodon" e "Adriatik" të anijeve 500 tonëshe, të avulloreve "Durrësi" , "Partizani", "Liria" etj.
Punime Kapitale u kryen edhe në anijet oqeanike "Tirana", "Vlora", "Shkodra" dhe "Arbëria". Me shumë vlerë ishte ngritja e repartit të prodhimeve të reja, sepse aty u realizua ndërtimi i shumë mjeteve detare deri në seri si anije pilotazhi, anije peshkimi KP 300, peshkatore 2KP- 408, anije 500 tonëshe si "Ali Kelmendi", "Vjosa", "Ylli i Kuq", "Dajti", "Bajram Curri", "Beqir Nova", "Adriatiku", "Tomori", tragete të ndryshme për zonat e liqeneve në veri, si dhe u projektuan e u prodhuan portat e H/C- ve të Veriut.
Disa të dhëna mbi Portin e Durrësit, porti më i madh në Shqipëri dhe porta hyrëse e Korridorit VII.
- Porti ndodhet në pjesën Jug-Perëndimore të Durrësit dhe është 36 km larg nga Tirana.
- Porti nuk ka më akses rrugor dhe hekurudhor
- Sipeërfaqja ujore është 67 Ha
- Sipërfaqja tokësore është 80 Ha
- Përmban 11 kalata
K.H.