Aktorja me famë botërore Fan Bingbing është shfaqur në publik për herë të parë që kur u zhduk pa lënë gjurmë tre muaj më parë, duke shkaktuar thashetheme se ishte arrestuar nga Partia Komuniste.

Në një video të postuar në mediat sociale kineze, ylli i kinematografisë duket duke lënë Aeroportin Ndërkombëtar Beijing Capital mbrëmjen e së hënës.

Ajo mban syze të errëta për të mbuluar fytyrën dhe ndiqet nga një burrë me ombrellë të madhe të zezë.

Përkundër përpjekjeve të saj, aktorja 37-vjeçare u kap në kamera nga paparacët.

Fan është ndër yjet më të njohura të kinemasë të Kinës dhe ka nënshkruar kontrata miliona dollarëshe për shfaqjet e saj në dhjetra prodhime kineze. Ajo gjithashtu është shfaqur në ekskluzivitete të mëdha ndërkombëtare si X-Men.

Por pas raportimeve për shmangien e taksave nga Fan në qershor, aktorja u zhduk. Më 2 tetor, qeveria kineze njoftoi se Fan ishte gjobitur miliona dollarë për evazion fiskal. Për shkak se kjo ishte vepra e parë se saj penale, qeveria tha se nuk do të ngrinte padi kundër saj.