Edhe pse mori tre jetë njerëzish, dhe la të plagosur një tjetër, pasditen e 11 tetorit në fshatin Shëlli të Matit, autori i masakrës, nuk ka shfaqur pendesë për krimin e rëndë

"BalkanWeb" raporton se gjatë momentit të shoqërimit në Komisariatin e Burrelit, Kujtim Koxha nuk është shfaqur i penduar, ndërsa ka refuzuar të mbrohet me një avokat të caktuar nga shteti. Koxha mësohet të jetë shprehur se avokatin për në seancë gjyqësore do e gjejë ai vetë.

Menjëherë pas mbërritjes në komisariat, Kujtim Koxha ka kërkuar për të ngrënë. "Bukë se vdiqa nga uria", ka thënë ai, raporton "BalkanWeb".

Shkak i krimit të 3-fishtë u bë rruga e fshatit Shëlli, ku punonjësit e Bashkisë po kryenin punime. Nga breshëria e plumbave Mentor Hoxha ndërroi jetë në vend, ndërsa Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi vdiqën në spital.

Koxha ishte një person problematik në fshatin e tij. Raportohet se para disa ditësh Koxha kishte qenë në spital, pasi ishte plagosur me thikë nga vëllai i tij pas një konflikti. 51-vjeçari kishte qëndruar i shtruar për disa ditë në spitalin e Burrelit.