Dy "iPhone" dhe një "Samsung", bashkë me karikuesit dhe dy karta celulari të pahapura,janë gjetur të fshehura në një top futbolli në ambientet e burgut të Lezhës.

"Gjatë orës së ajrimit të të burgosurve është hedhur nga jashtë një top futbolli i fryrë. Topi është konstatuar nga punonjësit e shërbimit të cilët e kanë bllokuar menjëherë. Janë bërë verifikimet e nevojshme dhe janë kontrolluar kamerat e sigurisë. Brenda topit janë gjetur tre celularë, dy "iPhone" dhe një "Samsung", bashkë me karikuesit dhe dy karta celulari të pahapura", informoi ministria e Drejtësisë.

Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve po kryen të gjitha hetimet e nevojshme për të identifikuar përgjegjësit.

Në aksionin e zhvilluar në rang vendi pak javë më parë u sekuestruan 17 telefona celular, 6 karta sim dhe 9 aksesorë të tjerë telefonash celularë; 135 doza lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa; 27 mjete prerëse të improvizuara nga të burgosurit.