Një tjetër arrest në flagrancë, një tjetër nënë e rrahur nga djali i saj. Pa kaluar 24 orë nga arrestimi i 37-vjeçarit Sokol Filja, i akuzuar për dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij 67-vjeçare, që disa herë ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje, një rast tjetër i rëndë regjistrohet në Durrës.

Këtë herë, në prangat e policisë ka përfunduar 50-vjeçari Artan Juba, i cili ka rrahur nënën e tij 84-vjeçare, shtetasen I.J. Pavarësisht moshës së thyer të nënës së tij, 50-vjeçari nuk ka nguruar të ngrejë dorë ndaj saj.

Rastet e dhunës në familje mbeten ndër ngjarjet më të shpeshta të komunikatës ditore të policisë së Durrësit.

Përveç rastit të mësipërm, policia njofton se për dy raste të tjera ka plotësuar kërkesë padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për dy gra, të dhunuara fizikisht dhe psikologjikisht nga bashkëshortët.

Njoftimi i policisë për dy gratë e dhunuara:

Më datë 03.10.2018, u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen N.J., vjeçe 59, banuese në Durrës, pasi  bashkëshorti, shtetasi A.J., vjeç 53, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet u referuan në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Më datë 03.10.2018, u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen M.P., vjeçe 34, banuese në Durrës, pasi bashkëshorti, shtetasi A.B., vjeç 40, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet u referuan në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.