Një 76-vjeçar nga fshati Metalle i Shijakut është habitur nga zbulimi i tij. Ndërsa ishte duke djegur mbetje bimore, shtetasi R.D. ka gjetur predha të vjetra artilerie.
Sapo ka parë armatimet ushtarake, i moshuari nuk është menduar dy herë, por ka njoftuar menjëherë komisariatin e policisë Shijak.
Efektivët e tij, sapo kanë mbërritur në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe kanë konstatuar se bëhej fjalë për 11 predha artilerie, të kalibrit 76mm.
Nuk dihet se si kanë përfunduar aty këto predha. Gjithsesi i moshuari nga Shijaku ka rezultuar me fat, pasi zjarri mund të kishte shkaktuar plasjen e tyre.
Policia bën të ditur se armatimet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që materialet u kaluan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës, për vlerësim.





