Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar ‘se ka marrë mbështetjen e plotë liderët botërorë për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për një paqe të qëndrueshme në Ballkan’.

Në një komunikatë për media të dërguar nga Presidenca e Kosovës thuhet se, presidenti Thaçi dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini, kanë diskutuar për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, si dhe marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, është krijuar një momentum historik për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, që do t’i zgjidhte njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjet dhe do të krijonte perspektivë të qartë të anëtarësimit në BE”, citohet të ketë thënëpresidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, Federica Mogherini ka paralajmëruar për dinamizimin e dialogut, dhe ka ofruar mbështetjen e saj dhe të BE-së në lehtësimin e këtij procesi jo të lehtë, por të domosdoshëm për hapjen e perspektivës për të dyja vendet në BE.

Presidenti Thaçi ka vazhduar takimet e shumta me krerët botërorë, të cilët po marrin pjesë në Sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së./REL