Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacollin, në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të OKB-së, kanë zhvilluar një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Në këtë takim siç njofton Presidenca e Kosovës, është biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit në fusha tjera me interes të përbashkët, përcjell Klan Kosova.

"Presidenti Thaçi ka falënderuar presidentin turk, Erdogan për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Kosovës në procesin e shtimit të njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai ka marrë mbështetjen e presidentit turk për procesin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, duke kontribuar kështu në rritjen e sigurisë globale. Nga ana tjetër, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se ai do të angazhohet personalisht në shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën dhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare," thuhet në deklaratë.

Thaçi e ka informuar Erdogan lidhur me fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për domosdoshmërinë e arritjes të një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme, për të cilën Erdogan ka thënë se mbështet.