Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, është shprehur kundër idesë së Hashim Thaçit dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç, për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ishte interesante të flisja me presidentin e Kosovës, Thaçin, për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për temën që po dëgjohet së fundmi rreth mundësisë së shkëmbimit të territoreve. Këtu, ne jemi shumë të kujdesshëm dhe i kam treguar argumentet dhe qëndrimet tona si dhe faktin e parimit të Komisionit të Badinterit që kufijtë e ish-Jugosllavisë duhet të mbeten të gdhendura në gurë”, ka thënë presidentja Grabar-Kitaroviç, raporton agjencia kroate e lajmeve, Hina.