Një 38-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia pasi ka plagosur rëndë me dashje kushëririn dhe djalin 16-vjeçar të kushëririt.

Ngjarja është regjistruar në Bulqizë ndërsa bëhet e ditur se konflikti ka ndodhur për motive pronësie. Mësohet se policia po procedon penalisht edhe një shtetas tjetër për plagosje të lehtë me dashje.

Në pranga ka përfunduar Vullnet Muça, 38 vjeç, banues në fshatin Ostren i Madh,  Bulqizë, për veprën penale "Plagosje e rëndë me dashje" , "Mbajtje e armëve të ftohta", parashikuar nga nenet 88 e 279 të Kodit Penal.

Ky shtetas rreth orës 21:40 pas një konflikti për motive pronësie ka plagosur me armë të ftohtë thikë shtetasit Sh. M., 52 vjeç, lindur e banues në fshatin Ostren i Madh, Bulqizë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në trup, i cili është dërguar me ambulancë në Spitalin Ushtarak Tiranë për shërbim më të specializuar, ndodhet në gjendje të rëndë. Si dhe ka plagosur lehtë shtetasin A. M., 16 vjeç, djalin e shtetasit SH.M., i cili pas mjekimit ka dalë nga spitali.

Gjithashtu po gjatë konfliktit shtetasi A.M., ka plagosur lehtë shtetasin e arrestuar Vullnet Muça, ku ndaj tij ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të "Plagosjes së lehtë me dashje". Në cilësinë e provës materiale është marrë dhe sekuestruar arma e krimit (thika me të cilën autori ka kryer plagosjen e shtetasit Sh.M).

Materialet proceduriale do t'i  kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.