Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Bosnje dhe Hercegovinë, Maureen Cormack, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se politika e SHBA-ve është konsistente kur është në pyetje dialogu Kosovë-Serbi dhe se rasti i të dyja vendeve nuk ka asnjë ngjashmëri me Republikën Serbe në Bosnje.

"Sa i përket politikës së Shteteve të Bashkuara ajo ka qenë mëse e qartë dhe konsistente, se nuk ekziston asnjë paralele mes Kosovës dhe Serbisë me Republikën Serbe. Kur është në pyetje Kosova ajo që Shtetet e Bashkuara e përkrahin është përfundimisht dialogu i cili po zhvillohet dhe i cili duhet të vazhdojë derisa të arrihet një zgjidhje që do të ishte fryt i një marrëveshje mes palëve. Ne patjetër e përkahim rolin e Bashkimit Evropian në këtë dialog", ka thënë ambasadorja Cormack.

Ajo më tutje ka theksuar se vendi i saj e mbështet sovranitetin e Bosnje Hercegovinës, përderisa është shprehur kundër ndarjes së saj për shkak se dy entitetet këtë e kanë parapararë me marrëveshjen e Dejtonit.

"Politika jonë është konsistente kur është në pyetje integriteti dhe sovraniteti territorial i Bosnje Hercegovinës. Ky është një vend që përbëhet nga dy entitete. Sipas marrëveshjes së Dejtonit, Bosnja Hercegovina në strukturën e saj përbëhet nga dy entitete dhe ato sipas kësaj marrëveshje paqësore nuk kanë të drejtë për ndarje", thotë ambasadorja e SHBA-së, Maureen Cormack.

Shumë politikanë evropianë kanë thënë se nëse ka ndryshime të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë një gjë e tillë mund të ndodhë edhe në Bosnje.

Ideja për ndryshimin e kufirit mes këtyre dy shteteve, është proklamuar nga presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, si zgjidhje e mundshme që do të ofronte një marrëveshje paqeje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar se do ta mbështesin një zgjidhje për të cilën pajtohen të dyja vendet, derisa Gjermania dhe Britania e Madhe, janë shprehur kundër kësaj ideje. /REL