Policia italiane e qytetit të Leçes ka finalizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm operacionin e koduar "Amici mie" (Miqtë e mi) i cili ka çuar në arrestimin e 11 personave, 6 shqiptarë e 5 shtetas italianë.

Mes të arrestuarve dhe një person i rëndësishëm i mafias puglieze Sacra Corona Unita. Gjatë hetimeve të këtij operacioni janë vërtetuar me mijëra shit-blerje doza lëndësh narkotike, kryesisht kokainë.

Shqiptarët e arrestuar janë:

  • Sajmir Sejdini, vjeç 27, banues në komunën Taviano të Lecces, 
  • Klodjan Shehaj, vjeç 36, banues në komunën Taviano të Lecces
  • Danel Gjoci, vjeç 20, banues në komunën  Taviano;
  • Roxhers Nebiu, vjeç 27, banues në komunën Melissano;
  • Enri Shehaj vjeç 25, banues në komunën Rutigliano;
  • Rrapush Tafa vjeç 26, banues në komunën Racale;

Ndaj të arrestuarve rëndon akuza e trafikut të lëndëve narkotike.

Grupi i trafikantëve italo-shqiptarë akuzohen për shitje me pakicë të kokainës në territorin e komunave Gallipoli, Taviano, Alezio, Racale ed Alliste në provincën e Lecces.

Hetimet kanë vërtetuar se  ky grup kriminal çdo dozë kokainë me peshë 0.5 gramë e shiste me vlerë 60 euro duke nxjerrur një përfitim prej qindra mijëra euro. 

Përgjimet e hetuesve italianë kanë zbardhur se dozat e kokainës mes anëtarëve të bandës në gjuhë të kriptuar quheshin "amici" , nga merr dhe emrin operacioni i policisë italiane.