Kundërshtarëve të idesë për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, që mund të sillte destabilizim të Ballkanit, presidenti Hashim Thaçi u kujtoi historinë, duke i akuzuar se po ngrejnë një tymnajë të organizuar frike, sikurse gjatë kohës së pavarësisë së Kosovës.
Presidenti i Kosovës tha: “Çuditërisht, edhe sot kur Kosova e ka të hapur mundësinë për të arritur marrëveshje paqësore me Serbinë, rrufeshëm dhe nga shumë drejtime, ngritën shqetësime të paqëndrueshme. Skeptikët sot përsëri janë bërë bashkë për të kundërshtuar opsionin real të korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë. Me lehtësi përhapin frikë për gjoja destabilizim të rajonit dhe thellim të ndarjes etnike në Ballkan. Krijojnë panik dhe mjegull duke i trilluar të njëjtat argumente, njësoj sikurse në prag të shpalljes së pavarësisë”.
Thaçi përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës dhe do të jetë faktor për stabilitetin e Ballkanit.
“Prandaj skeptikët e kësaj marrëveshjeje mund t’i siguroj që tani se nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë eksod të popullsisë dhe as efekt domino. Për më tepër, kjo marrëveshje paqësore do të vendosë një gur të rëndë mbi të ashtuquajturën “Kuti e Pandorës”, e cila këto ditë po përfitet me shumë pasion”, u shpreh Hashim Thaçi.
Për presidentin kosovar argumenti se marrëveshja për korrigjim me Serbinë do të përdoret si precedent për ndryshime në rajone të tjera është i pasaktë dhe tenton thjesht të krijojë panik.