Policia e Durrësit ka publikuar pamjet e ndërhyrjes së Forcave të Policisë së Shtetit gjatë operacionit në Nikël të Krujës ku u arrestuan 5 persona dhe u sekuestruan armë, municione dhe sende të tjera.

NJOFTIMI I POLICISË

Pas një hetimi intensiv disa mujor mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në Nikël të Krujës, Policia e Shtetit, ka arritur të ndalojë disa elementë me rrezikshmëri shoqërore të lartë, anëtarë të grupeve kriminale aktive në këtë territor, por edhe më gjerë. 

Veprimtaria hetimore disa mujore ka konsistuar në përgjimin, ndjekjen dhe gjurmimin e këtyre elementëve kriminal si dhe mbledhjen e të dhënave në rrugë operative me qëllim evidentimin sa më të plotë dhe sa më të qartë të veprimtarisë kriminale të personave të dyshuar për kryerjen e kësaj veprimtarie. 

Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në banesa të përdorura prej personave të dyshuar si anëtarë te grupeve kriminale, rreth orës 05:30 të mëngjesit të djeshëm. 

Gjatë këtij operacioni u shoqëruan një numer personash dhe u arrestuan 5 shtetas. Ata janë:

  • Lutfi Haka 67 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë, i dënuar më parë;
  • Marklen Haka 27 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë, i dënuar më parë;
  • Ylli Çangu, 42 vjeç, banues në fshatin Nikel, Krujë, i dënuar më parë;
  • Skënder Leza, 34 vjeç, banues në fshatin Larushk, Krujë; 
  • Valter Bami,.32 vjeç, banues në Larushk, Krujë.

Gjithashtu janë sekuestruar armë, municione, mjet të blinduar, euro, dollarë e lekë si dhe sende të tjera të poseduara në mënyrë të paligjshme. 

Konkretisht janë sekuestruar:

  • 2 armë zjarri pistolete
  • 4 armë gjahu e pushke sportive;
  • 5 armë të ftohta;
  • sasi fishekësh
  • 4 palë dylbi
  • 1 radio transmetuese;
  • 39 000 Euro;
  • 1 200 dollarë amerikanë ;
  • 2 900 000 lekë të reja;
  • 8 aparate celularë;
  • 1 automjet i blinduar etj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale " Mbajtja pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve të ftohta" dhe "Pastrimi i Produkteve të veprës penale" parashikuar në nenet 278/2, 279 dhe 287 të Kodit Penal.