Policia ka arrestuar sot një 26-vjeçar, i cili ishte kapur në janar të 2018 në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, me 425 kilogram kanabis në makinën në pronësi të tij.
Sipas njoftimit të Policisë së Vlorës, në sajë të operacionit të koduar "THE TRUCK", në pranga ka rënë shtetasi Albano Rakipi, 26 vjeç, banues në Vlorë.
Më datë 06.09.2018, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në bashkëpunim me Sektorin e Shërbimeve Policore të Specializuara pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë bërë të mundur finalizimin e këtij operacioni ku si rezultat është arritur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim si autorë i dyshuar në lidhje me ngjarjen e mëposhtme:
Më datë 29.01.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, në mjetin Kamion-Trailer me targë AA 8220S/AD801, në pronësi të firmës së tij, u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 425 kilogramë e 650 gramë, lëndë e dyshuar si Cannabis Sativa.
Gjithashtu, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin Nr.79, datë 22.03.2018, i ka caktuar shtetasit Albano Rakipi masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Trafiku i Narkotikëve”, kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 283/a/2, 25 dhe 22 të Kodit Penal.





