Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se është i përfshirë në procesin e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Projekti i shkëmbimit të territoreve është projekt i Xhinxhiçit dhe i Vuçiçit, i ndihmuar edhe nga Edi Rama që është i kyçur në këtë pazar. Pjesë e pazareve është edhe Edi Rama që është në kontakt me Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiçin. Vuçiç po i thotë opinionin e tij para të gjithëve: Neve na more Kosovën, tash për t’i përmirësuar marrëdhëniet, duhet të na ktheni diçka dhe ky kthim është veriu”,është shprehur Avdyli.

Avdyli ka thënë se subjekti politik ku ai bën pjesë nuk është kundër që Lugina e Preshevës të bashkohet me Kosovën.

“Mund të them publikisht se krejt LDK dhe krejt populli do ta përkrahim idenë që dikush të na e kthejë Preshevën, por nuk jemi gati që të falim toka. Serbia na ka borxh shumë tokë neve. Pse duhet t’i japim akoma. Hashim Thaçi po bën lojë me fjalë dhe Haradinaj po bjen pre e Hashim Thaçit. Mendoj Serbia nuk i jep Kosovës asgjë është e interesuar vetëm të marrë. Është e interesuar ta krijojë një Kosovë jostabile. Serbia po arrin ta kthejë Kosovën para vitit 2008. Neve duhet të na njeh Serbia, të anëtarësohemi në OBK dhe NATO dhe pastaj mund të flasim”.