Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në tryezën për diskutimin mbi kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se vajtja e Thaçit në Bruksel është sulm mbi demokracinë e vendit.

Kurti bëri një krahasim të kohës së sotme me mesjetën, duke thënë se dy ‘mbretërit’, Thaçi dhe Vuçiç, po e konsiderojnë tokën si private dhe po shtypin popullin. Madje, në formë ironie ai tha se ka mbetur që vetëm djali i Thaçit të martohet me vajzën e Vuçiçit dhe të kthehemi taman si në mesjetë.

“Presidenti që gjashtë vjet duke dialoguar me Serbinë, mirëpo pa sukses. As nuk u shpërbënë strukturat e Serbisë, as nuk u kthyen të pagjeturit e as për dëme të luftës nuk është bërë asgjë. Pas negociatave të pasuksesshme, Presidenti po pretendon që ka shkop magjik dhe të zgjidh problemin. Thaçi dhe Vuçiç po e trajtojnë  shtetin e Kosovës po si shtetin e tyre, popullin si familje të tyre që shtypin dhe territorin si tokën private.

Dhe këta të dy autokratë, po merren vesh në mënyrë feudale na kanë kthyer në mesjetë. Veç ka mbetur që djali i Thaçit të martohet me vajzën e Vuçiçit dhe të kthehemi si përpara, në mesjetë.  Shkuarja e Thaçit pa mandat është sulm mbi demokracinë dhe Republikën tonë”, ka thënë Kurti.