Vjedhjet e makinave në Durrës janë një raportim thuajse i përditshëm në komunikatën zyrtare të Drejtorisë së Policisë.

Zakonisht ato janë tip “Benz”, markë që rezulton të jetë më e preferuara nga hajdutët e makinave, por nuk mungojnë edhe markat e tjera.

Pavarësisht se raporton thuajse çdo ditë vjedhje makinash, nga policia nuk raportohet asnjëherë se ndonjë mjet i vjedhur gjendet, përveç rasteve kur ato gjenden të djegur, pasi janë përdorur në ndonjë krim.

Rasti më i fundit i vjedhjes së makinës është ai i një dite më parë, kur, gjatë natës, në lagjen nr. 18, shtetasit E.Sh., 26 vjeç, i kanë vjedhur mjetin tip “Benz”.

Mjeti ishte parkuar para banesës. Zakonisht parkimi i automjetit para shtëpisë së pronarit të mjetit nuk i tremb fare hajdutët. Ata vazhdojnë të qetë punën, ndërsa pronari konstaton vetëm në mëngjes se makina i ka “avulluar”.

Policia mjaftohet me deklaratën “po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit”.

Por pyetja që shtrojnë të gjithë drejtuesit e makinave në Durrës është: Ku t’i parkojmë mjetet? Kur ato nuk janë të sigurta as kur parkohen para shtëpisë, çfarë duhet bërë?!!!