"Doktori K", kështu njihet 26-vjeçari shqiptar, i cili gjatë ditës ishte student në nivelin master dhe natën vidhte apartamente në Milano.

Ai ishte diplomuar me nota maksimale në Ekonomi Politike në universitetin e Bocconit e madje ndiqte edhe masterin, teksa binte në sy për jetesën e mirë, sjelljen dhe pamjen gjithnjë të kuruar.

Ai vinte nga një familje e mirë shqiptare dhe ndonëse ishte dëbuar, ishte rikthyer sërish në Milano për të vijuar jetesën e mirë, teksa si burim të ardhurash kishte vjedhjen e apartamenteve.

Në shtëpinë e tij u gjendën piktura të viteve 1900-të, gurë të çmuar, varëse dhe unaza me diamante.

Sipas “Corriere della Sera”, shqiptari studionte me kujdes zonën e apartamenteve ku do të kryente vjedhjet dhe ishte i aftë të mos linte asnjë shenjë në doreza. Ai kishte edhe një bashkëpunëtor, i cili dyshohet se është larguar jashtë vendit.

Policia ra në gjurmë të tyre jo për shkak të skenave të krimit, sesa nga makinat e marra me qera, të zbuluara nga telekamerat e bizneseve të zonës.

Doktori K. kishte përfunduar një herë në pranga edhe në 2016-ën po për vjedhje dhe ishte dëbuar. Ai qe kthyer në Shqipëri, por ishte rikthyer sërish në Itali, duke tentuar atje të hiqej si qytetar model.