Policia e Shtetit mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për persona që vidhnin mjete lundruese nga fshati Shëndëlli, Sarandë, në grykëderdhjen e lumit "Pavllo", bëri të mundur bllokimin e një mjeti lundrues tip Gomone me mbishkrimin "Highfield", në të cilin u arrestuan në flagrancë dy shtetasit e mëposhtëm:
F.Ll, 17 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, Sarandë.
A.D., 15 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, Sarandë.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.D, u gjet dhe u sekuestrua një mjet lundrues varkë plastike me mbishkrimin "Evinrude", pa dokumentacion.
Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Policinë Greke, është bërë i mundur arrestimi i dy shtetasve të tjerë shqiptarë në Ishullin e Korfuzit Greqi, të cilët janë kapur në flagrancë duke vjedhur mjete lundruese (skafe):
K.P, 17 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli.
K.D, 20 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli.
Nga ana e Policisë së Shtetit janë bllokuar dhe sekuestruar 2 mjete lundruese:
– Gomone "Highfield", motor "Mërkuri" me 9HP.
– Varkë plastike "Evinrude" 25 HP.
Ndërsa policia greke ka sekuestruar 3 mjete të tjera lundruese në Ishullin e Korfuzit, Greqi.
Materialet proceduriale në ngarkim të shtetasve F.Ll, dhe A.D, iu referuan Prokurorisë për veprat penale "Trafikimi i mjeteve motorike" dhe "Vjedhje" parashikuar nga nenet 141/a/2 dhe 134/2 të Kodit Penal.





