Rishikimi i kufijve nuk do të shtrohet për diskutim në dialogun e Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit. Këtë e konfirmoi kryeministri kosovar Ramush Haradinaj pas takimit të zhvilluar paradite me presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e Kuvendit Kadri Veseli.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës: Procesi i dialogut nuk nënkupton diskutim të kufijve e as territorit të Kosovës. Edhe presidenti i vendit shprehu qëndrimin e tij se respekton territorin, sovranitetin dhe integritetin e vendit dhe nuk pranon me u diskutuar territori i vendit.

Haradinaj tha se një nga kushtet e dialogut me Serbinë, që do të përcaktohen nga pala kosovare do të jetë njohja reciproke. Prej më shumë se një muaji ka shkaktuar debate në të dy vendet, deklarata e presidentit kosovar Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh dhe bashkëngjitje në territorin e Kosovës të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit. Deklarata u interpretua si shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Të mërkurën, partitë opozitare në Kosovë dorëzuan kërkesën për seancë të jashtëzakonshme me 4 shtator, për të votuar një rezolutë që e ndalon presidentin Thaçi  të shtrojë për diskutim rishikim e kufijve. Takimi i radhës në Bruksel mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiç është paraparë të zhvillohet më 7 shtator.