Tre ditë pas ngjarjes kur u përplasën për vdekje dy kushërinj, autori i aksidentit Amarildo Çalamani ka dalë para Gjykatës për masën e sigurisë. Report Tv sjell pamjet e momentit kur Çalamani ka dalë para trupit gjykues kokulur, i tronditur dhe penduar për ngjarjen.
Prokuroria ka kërkuar masën ‘arrest me burg’ për të riun, ndërsa pritet që pas pak të shprehet gjykata. Nga aksidenti i ndodhur në mbrëmjen e datës 26 gusht humbën jetën Amarildo Dogani dhe Festim Dogani 21 dhe 29 vjeç, ndërsa u plagos kushëriri i tyre Martin Dogani, i cili raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital.
Ai tregoi për Report Tv para dy ditësh se makina me të cilën i përplasi Amarildo Çalamani ka qenë me shpejtësi deri në 120 km në orë dhe ka frenuar para se t'i përplasë. Ai tregoi se kishin pirë kafe pak para aksidentit, e të gjithë si kushërinj kishin dalë në trotuar për të biseduar. “Përplasja na i ndali të qeshurat”, tregon ai, që shtoi se Amarildo Çalamanin e kishte pasur shok shkolle.





