Drejtori i përgjithshëm Ekzeutiv i APD, Afrim Bakaj, së bashku me prefektin e qarkut të Durrësit, Roland Nasto, zhvilluan sot paradite një vizitë në anijen –shkollë ushtarake rumune “Mircea”.
Ata u pritën në bordin e anijes – velier nga komandanti Tarhoaca Mircea, i cili së bashku me personelin e anijes u kujdesën për vizitën e drejtuesve të portit dhe institucionit të prefekturës.
Z. Bakaj dhe z. Nasto, si dhe stafi i prefekturës së qarkut vizituan mjediset e anijes, si dhe u informuan për kushtet e stërvitjes dhe të lundrimit të studentëve, që përgatiten për pjesën praktike në velierën me moshë 80-vjeçare.
Anija Mircea u nis nga porti i Konstancës dhe po zhvillon një lundrim ndërkombëtar mësimor. Ajo ka mbërritur në portin e Durrësit paraditen e së hënës dhe të mërkurën do të vazhdojë lundrimin drejt Kroacisë dhe Greqisë.
Ekuipazhi i anijes përbëhet nga 182 persona, përfshirë 38 studentë të Akademisë Detare “Mirça çel Bëtrën”, 43 kursantë dhe 13 instruktorë nga Gjermania, si dhe 12 kursantë nga Bullgaria, Kina, Britania e Madhe, Polonia, Turqi dhe Ukraina.
Mircea është një anije me tre direkë e ndërtuar në vitin 1938 në kantierin detar të Hamburgut “Blohm und Voss” si një anije mësimore për forcat ushtarake-detare të Rumanisë.
Projekti i "Mirça-s" bazohet në projektin e suksesshëm "Gorh Fok".
Pas Luftës së Dytë Botërore, anija përkohësisht ndodhej në ish-BRSS, më pas iu dorëzua Rumanisë. Në vitin 1966, anija bëri riparim kapital në kantierin “Blohm & Voss”. Gjatësia e përgjithshme e anijes është 82.1 m, gjerësia 12 m dhe ka 23 vela me sipërfaqe të përgjithshme 1800 m².