Kalatat 1 & 2 në portin e Durrësit do t'i nënshtrohen zbatimit të një projekti, që parashikon rritjen e kapaciteteve përpunuese të anijeve, rritjen e thellësisë së projektuar në menyrë që të mund të ankorohen në këto kalata anije me të mëdha, si dhe rritjen e aftësisë mbajtëse të kalatave. Këto kalata i përkasin Terminalit të Mallrave Gjenerale, i njohur edhe si Terminali Perëndimor.

Projekti i hartuar nga kompania “Sellhorn Ingenieurgesellschaft mbH”  përcakton  karakteristikat kryesore të këtyre kalatave:

–   Gjatësia e kalatave është 500 m dhe gjërësia 30 m, ku rezulton një shtim sipërfaqe të re me 15000 m2

–   Thellësia e projektuar – 11.50 m.

–   Ngarkesa uniformisht e shpërndarë në kalata – 4 ton/m2

Projekti parashikon ndërtimin e kalatave të reja përpara atyre ekzistuese.

Për zbatimin e këtij projekti parashikohet financimi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si dhe nga një grant në Western Balkans Investment Framework (WBIF).

Në portin e Durrësit është realizuar më parë me financim nga BERZH (dhe BEI) ndertimi i Terminalit të Pasagjerëve.  Po ashtu, është realizuar edhe projekti për Rehabilitimin e Kalatave 7 dhe 8.