Fluksi i emigrantëve që nisen nga porti për në vendet e tyre ku jetojnë e punojnë është duke arritur pikun këtë fundjavë. Pesë tragete me kapacitet maksimal prej 8 mijë pasagjerësh e rreth 2 mijë automjetesh po largohen çdo ditë nga porti i Durrësit.

Prefekti i Durrësit Roland Nasto iu ka bërë apel të gjitha strukturave që operojnë në portin e Durrësit të marrin masa konkrete për të mos krijuar vonesa apo pakënaqësi tek emigrantët që largohen nëpërmjet kësaj pike kufitare.

Apeli ka ardhur në mbledhjen e komitetit të sigurisë së portit të Durrësit, pas sherreve që kanë ndodhur në port si rezultat i mbërritjes apo nisjes së trageteve të linjave që operojnë.

Kapitaneria, Drejtoria e Kufirit, Dogana, agjencitë detare, siguria portale duhet të krijojnë të gjitha procedurat lehtësuese që të mos krijohen incidente mes udhëtarëve.

Ata që zgjodhën të vinin nga porti i Durrësit u përballën këtë verë me rritje të madhe të çmimit të biletave nga ana e agjencive të biletave duke përbërë edhe shqetësimin kryesor për ta.

K.H.