Një konflikt në çift për motive xhelozie për pak përfundoi në tragjedi, arrestohen burrë e grua. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Seferan të Belshit, ku të shtënat e armës kanë bërë që fqinjët e çiftit të lajmërojnë Policinë.
Mësohet se sherri mes çiftit të bashkëshortëve Mylazim dhe Adelina Abazi kishte ditë që kishte nisur. Që pas kthimit të 58-vjeçarit nga Italia, ku edhe ishte i punësuar me sezone, mes çiftit kishte debate.
Por, mëngjesin e së mërkurës në banesë janë dëgjuar të bërtitura nga ana e 54- vjeçares dhe më pas tri të shtëna me armë zjarri. Policia, e cila është lajmëruar nga fqinjët, ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ku falë ndërhyrjes së shpejtë ka parandaluar edhe përshkallëzimin e mëtejshëm me pasoja të rënda të një konflikti familjar.
Fqinjët, por edhe Policia bëjnë të ditur se 58-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Kjo e fundit e ka akuzuar bashkëshortin se arsyeja që ai nuk sjell para nga emigrimi mund të jetë ndonjë lidhje jashtëmartesore me ndonjë grua tjetër në Itali.
Ajo dyshonte për këtë pasi i shoqi u kthye në shtëpi pa sjellë të ardhura nga puna në emigrim. Debati mes tyre është agravuar deri në pikën që 58-vjeçari të dhunojë gruan e tij. Kjo e fundit, e lodhur nga dhuna, por edhe nga xhelozia, ka kanosur me armë zjarri bashkëshortin duke qëlluar në ajër me automatik.
Policia i ka arrestuar të dy në banesë, duke sekuestruar edhe armën e zjarrit automatik dhe 18 fishekë. Policia bën me dije për ngjarjen se, “në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Cërrik ka ardhur një telefonatë se në fshatin Seferan Belsh, në familjen e shtetasit Mylazim Abazi, ka një konflikt familjar mes bashkëshortëve, ku janë dëgjuar edhe të shtëna me armë.
Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Policisë, ku ka rezultuar se: shtetasi Mylazim Abazi, 58 vjeç, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases Adelina Abazi, 54 vjeçe, e cila më pas kishte marrë një armë zjarri automatik, që e mbanin në banesë pa leje dhe ka kërcënuar bashkëshortin duke qëlluar në ajër në banesë.
Ndërhyrja në kohë e Policisë ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, duke bërë arrestimin në flagrancë të dy bashkëshortëve për “Dhunë në familje”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje”.
PANORAMA





