Një shqiptar është arrestuar në Itali, pasi në makinën me të cilën lëvizte është gjetur drogë. Në pranga nga policia e Milanos është vënë 50-vjeçari me iniciale N.N.

Pasi është mbajtur në vëzhgim nga efektivët, ai është ndaluar kur zbriti nga makina tip “Peugeot” me të cilën lëvizte, para banesës.

Në bagazhin e automjetit, agjentët gjetën rreth 2 kg drogë (1 kg e 100 kg kokainë dhe pjesa tjetër heroinë). Vlerësohet se nëse droga shitej në doza të vogla, shqiptari do të fitonte rreth 55 mijë euro.

Efektivët kryen edhe një kontroll në banesën ku jetonte shqiptari në rrugën “Papa Giovanni XXIII”. Aty u gjetën 31 mijë euro, që u sekuestruan nga policia si të dyshuara se janë përfituar nga aktivitete kriminale. Pas arrestimit, 50-vjeçari u dërgua në burgun e Lodit.