Policia italiane ka arrestuar në aeroportin Malpensa një të ri shqiptar, i cili kërkohej në Gjermani për një vrasje të ndodhur në qytetin Aachen.

Mediat italianë thonë se bëhet fjalë për një 23-vjeçar shqiptar, identiteti i të cilit ende nuk bëhet i ditur.

Shqiptari u kap në momentin kur do të udhëtonte me avion drejt Tiranës, por u zbulua se në fakt ai kërkohej nga autoritetet gjermane, shkruan Malpensa24.it.

Shqiptari që rezultonte në kërkim ndërkombëtar, akuzohet për vrasjen e një vajze 18-vjeçare në Gjermani gjatë një grabitjeje të ndodhur në janar të vitit 2017. Adoleshentja mbeti e plagosur nga goditja me thikë, por ndërroi jetë në spital. Pas grabitjes me pasojë vrasjen, 23-vjeçari ishte arratisur nga Gjermania.

Tashmë pritet që shqiptari të ekstradohet në shtetin gjerman.