Një grua rreth moshës 50-vjeçare ka humbur jetën pas plagëve të marra nga arma e zjarrit pasi u qëllua nga bashkëshorti i saj.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, komandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Krist Gjokaj, duke theksuar se rasti dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht.
“Mbrëmë rreth orës 12:30 pas mesnatës, është plagosur me armë zjarri dhe në momentin që ka shkuar në spital viktima, është konfirmuar vdekja e saj. Për momentin dyshimet e para janë vetëm vrasje aksidentale, ne jemi duke hetuar në mënyrë intensive”, tha Gjokaj.
Disa javë më parë, në një fshat të Gjakovës, një burrë vrau gruan e tij 40 vjeçe dhe vajzën e tij 9-vjeçare, pas dështimit të intervenimit të Policisë së Kosovës, në thirrjet e viktimës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte kërkuar që të merren masa ndaj atyre që kanë neglizhuar rastin.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm vitin e kaluar janë shënuar 962 raste të dhunës në familje, ku viktima kanë qenë kryesisht gratë./REL