Kishin ardhur nga Tirana për t’u argëtuar në Durrës, por abuzimi me pijet alkoolike ka bërë që të përfundojnë në komisariatin e policisë.
Ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë, kur 3 shoqe nga Tirana u ndaluan në postbllokun e policisë.
“Më datë 11.08.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës, për shtetasen D. H., vjeçe 32, banuese në Tiranë, pasi në rrugën “Taulantia”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Audi” dhe bashkë më pasagjeret, shtetaset Xh. P. dhe I. H., vjeçe 36 e 31, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë", njofton policia.
Tri vajzat akuzohen tashmë për tre vepra penale të parashikuara në nenet 242, 236/1 dhe 291 të Kodit Penal.
Një rast i ngjashëm është regjistruar edhe në Shijak, ku 43-vjeçari A.K. ka kundërshtuar policët që donin ta shoqëronin në komisariat.
Në njoftimin e policisë thuhet; "Më datë 11.08.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin A. K., vjeç 43 banues në Shijak, pasi rreth orës 16:30, për shkak të detyrës ka kundërshtuar punonjësit e policisë së rendit dhe nuk i është bindur urdhrit për shoqërim".





