Nxënësit në Francë e kanë të ndaluar të përdorin telefonat celularë gjatë orëve të mësimit. Parlamenti francez miratoi ligjin për ndalimin e tyre në shkollat fillore dhe të ciklit të dytë, por për gjimnazet telefonat celulare do të lejohen.
Ndalimi përfshin çdo aparaturë që mund të lidhet me internetin, si telefon, tablet, apo edhe orë. Në ligj nuk përfshihen mësuesit, ata mund t’i përdorin këto aparatura për qëllime pedagogjike.
Ministri i arsimit Jean-Michel Blanquer, sqaroi se drejtuesit e shkollave do të mundësojnë vendosjen e sirtarëve të posaçëm në hyrje të klasave, për vendosjen e pajisjeve teknologjike.
Largimi i nxënësve deri në moshën 15 vjeç nga teknologjia e telefonave, ishte një nga premtimet elektorale të presidentit Emmanuel Macron. Deputetët e “La République en Marche”, partisë së presidentit votuan pro ligjit që ka ngjallur debat në Francë.
Për Republikanët opozitarë ligji nuk është gjë tjetër veçse një nismë për dukje dhe që nuk mund të zbatohet në terren.





