Në qytetin e Durrësit është promovuar libri i Aleksandër Sollzhenjicin "Gusht 1914". Pjesëmarrësit në këtë takim interesant kanë vënë në dukje vlerat e reja gjuhësore të sjella mjeshtërisht nga përkthyesi Nikolla Sudar.
Libri ka sjellë para lexuesit shqiptar periudhën e vështirë kur shteti rus ndodhej në buzë të greminës dhe kishin filluar rebelimet deri brenda në strukturat e forta të shtetit.
Nëpër faqet e këtij libri interesant të sjella me shije gjuhësore nga Sudari, del në pah fakti se si udha e fatit të shtetit rus të asaj periudhe ndodhej në fshat dhe se shteti i asaj periudhe nuk duhej ta fillonte kurimin e situatës së rënduar duke filluar nga shoqëria e lartë, e cila kishte degarduar dhe infektuar, ku nënpunësit ishin përfshirë në shërbime rutinë dhe çifligarët bënin jetë të shthurur në kurriz të fshatarëve bujkrobër.
Që shteti të kishte këmbë të forta, arrin në konkluzionin e tij autori Sollzhenjicin, shërimi duhej filluar nga këmbët, pra nga fshatarësija, pasi asnjë shërim i plotë nuk mund të kryhej veçse nëpërmjet fshatit. Shkrimtari i njohur rus, është fitues i çmimit "Nobel" për literature. Ai u bë i njohur në botë me librin "Arqipelagu Gulag" në të cilin tregon për jetën në kampet e punës së të burgosurve të sistemit Stalinist.
I përndjekur nga sistemi i ish-Bashkimit Sovjetik, ai ka jetuar një kohë të gjatë në SHBA, para se të kthehet në vendlindje. Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Një nga përkthimet më të mira vjen në shqip nga shkrimtari dhe historiani Nikolla Sudar, i cili për shumë vite ka jetuar dhe kontribuar në zonën e Durrësit dhe të Shijakut ku dhe ka ideuar dhe drejtuar më pas edhe muzeun histrorik të këtij qyteti. Ai ka përkthyer 50 vepra të autoreve të ndryshëm që janë mirëpritur nga lexuesi.