Policia ka njoftuar se është arrestuar personi i cili dy ditë më parë vodhi portofolin e punonjëses së klinikës të dietologes Blerina Bombaj.

Në pranga ka rënë shtetasi Durim Sema, 55 vjeç, banues në Tiranë, i cili rezulton se është autor edhe i tre vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë në kryeqytet.

Shtetasi i lartpërmendur në rrugën “Themistokli Gërmenji”, në zyrat e një Agjencie ka tentuar të vjedh shtetasin N. S., ndërkohë që po një ditë më parë në rrugën “Brigada 8”, në një dyqan dietologjik, i ka vjedhur portofolin shtetases V. T.

Nga veprimet e kryera hetimore rezulton se ky shtetas është autor edhe i tre vjedhjeve të mëposhtme :

– Vjedhjes së ndodhur më datë 09.03.2018, ku shtetasit A. K., në rrugën “Xhorxh Bush”, i janë vjedhur një sasi lekësh.

– Vjedhjes së ndodhur më datë 30.03.2018, ku shtetases N. T., në rrugën “Papa Gjon Pali”, në klinikën e saj i kanë vjedhur një sasi lekësh.

– Vjedhjes së ndodhur më datë 10.05.2018, ku shtetases V. U., i kanë vjedhur portofolin në zyrë.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet e mëposhtme të dyshuara të vjedhura prej këtij shtetasi :

– portofol
– syze dielli dhe optike
– një sasi lekësh
– orë dore
– aparat celular

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.